Saturday, June 1

Këmisha e lumturisë



Perandori i Indisë së lashtë, ishte shumë i pasur dhe bënte një jetë luksi. E, megjithatë, ai nuk ishte i lumtur. Një ditë, i mblodhi të gjithë oborrtarët, këshilltarët dhe burrat e urtë të perandorisë, me të cilët u këshillua rreth sekretit të lumturisë. Pas një heshtje të gjatë, e shoqëruar me meditim dhe shtrydhje truri, njëri prej këshilltarëve foli dhe i tha:”Lartmadhëria juaj! Duhet ta dini se mbi faqen e kësaj toke nuk ka lumturi, ashtu siç e kërkoni ju. Megjithatë, unë u këshilloj të kërkoni një njeri që është i lumtur realisht. Nëse e gjeni, ia kërkoni hua këmishën që vesh, pasi vetëm kështu do të bëheni i lumtur.”
Të nesërmen, perandori i hipi kalit të tij madhështor dhe u nis për udhë. Kudo që takonte njerëz, i pyeste nëse ishin të lumtur, ose të paktën, nëse njihnin dikë që ishte i lumtur.

Disa prej tyre shtireshin si të lumtur fillimisht, por më pas dikush tregonte se ishte në konflikt me të shoqen, një i dytë se ishte i sëmurë, një i tretë se ishte fukara etj...
I dëshpëruar në kulm se nuk po gjente dot njeriun e lumtur, perandori u drejtua nga pylli, për tu freskuar nën hijet e drurëve të larta dhe në ajrin e freskët.
Por pasi kishte hedhur disa hapa në pyll, dëgjon një zë të ëmbël dhe melodioz, i cili këndonte një këngë të bukur. Sa më shumë afrohej në drejtim të zërit, aq më shumë bindej se personi në fjalë ishte njeriu që kërkonte, ai i lumturi. Kur mbërriti tek ky njeri, sytë i zunë një person të thjeshtë. Menjëherë perandori e pyeti:”Mesa duket, qenke një njeri i lumtur, apo jo.”
Burri i fali një buzëqeshje të ngrohtë dhe iu përgjigj:”I lumtur? Unë jam shumë i lumtur.”
Kjo përgjigje e rrënqethi perandorin, pasi sapo kishte gjetur personin e duhur. Pa i thënë gjë tjetër, perandori i tha:”Pash Zotin, ma jep këmishën tënde, qoftë dhe hua, që të bëhem dhe unë i lumtur!”
Burri heshti, uli shikimin përtokë dhe pas pak, duke e parë në sy i tha:”Këmishën time? Sa do të doja të ta jepja, por ka kohë që ia kam falur dikujt që kishte nevojë për të, dikujt që i lipsej më shumë seç më lipsej mua. Prandaj dhe u bëra i lumtur.”
Morali:
Lumturia nuk është tek “këmisha” që vesh, por është tek “këmisha” që ia vesh dikujt tjetër.